Zv.kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, ka shprehur mbështetjen e saj për protestën e zhvilluar sot në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në një postim në Facebook, Balluku e cilësoi aktivitetin si një mikpritje të shqiptarëve nga të gjitha trevat dhe theksoi se qytetarët ngritën zërin “jo për politikë, por për kujtesë”.
“Nën hijen e Skënderbeut, populli i Tiranës ishte mikpritës për shqiptarët e të gjitha trevave dhe ngriti zërin, jo për politikë, por për kujtesë, për ata që luftuan që kjo tokë të mos ketë më gjykata të padrejta dhe drejtësi të padrejtë. Kjo turmë është përgjigjja e një kombi që nuk harron, që nuk pranon që lufta e UÇK-së të gjykohet në sallat ku heshtet historia dhe shpallet faji i lirisë”, shkroi Balluku.
Postimi i saj pasqyron mbështetjen e institucioneve shqiptare ndaj protestës dhe nderimin për kontributin e UÇK-së në historinë e kombit shqiptar.


