Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka inspektuar nga afër punimet në lotin e pestë të aksit rrugor Elbasan–Rrogozhinë, ku puna vijon me intensitet të lartë.
Gjatë inspektimit, Balluku bëri të ditur se kjo është faza e parë e projektit, që përfshin ndërtimin e 18 kilometrave të para të rrugës, ndërsa aktualisht punimet kanë arritur një progres prej 60% në këtë kantier. Pjesa tjetër e projektit, shtoi ajo, është realizuar në rreth 49%.
Në këtë segment parashikohet ndërtimi i gjashtë urave, ndërsa përfundimi i punimeve është planifikuar për qershor të vitit 2026.
“Kjo është një fazë e rëndësishme për finalizimin e gjithë aksit, i cili do të kthehet në autostradë të tipit A, me shpejtësi deri në 130 km/orë. Do të ketë dy korsi nga secili drejtim, secila me gjerësi 3.75 metra, dhe një korsi emergjence me gjerësi 3 metra, pra gjithsej tre korsi përkatëse,” u shpreh Balluku.


