SHBA- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në samitin e radhës së NATO-s, që zhvillohet në Uashington. Samiti i Natos përkon me 75 vjetorin e krijimit të Aleancës.
Përgjatë kësaj vizite, Kryeministri Rama së bashku me homologun e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe ministrin e jashtëm të Malit të Zi, Filip Ivanoviç zhvilluan një takim me bashkëkryetarët e Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senatin amerikan, demokratja Jean Shaheen dhe republikanin Thom Tillis.
Roli i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO, u vlerëësua nga senatorët ndërsa shprehën përkushtimin se SHBA do të ruajë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe do të mbështesë aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në BE.
“Ne kemi mundësinë të demonstrojmë përkushtimin tonë ndaj Ballkanit Perëndimor duke mbështetur përparimin e secilit nga këto vende drejt anëtarësimit në BE, gjë që do të ndihmonte që aleanca jonë transatlantike të arrijë stabilitet rajonal dhe global.”- është shprehur senatorja Shaheen.
Në këtë takim morën pjesë edhe senatorët republikanë Mike Rounds, Jerry Moran dhe Pete Ricketts dhe senatori Tillis, i cili tha se Rajoni i Ballkanit Perëndimor është kritik për sigurinë e Evropës, ndërsa shtoi se SHBA-tëjanë të përkushtuara për t’iu kundërvënë regjimeve totalitare.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është kritik për sigurinë e Evropës, dhe si bashkëkryetarë të Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senat, ne e bëmë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’iu kundërvënë regjimeve totalitare, në mënyrë të veçantë në kushtet kur Rusia vazhdon luftën e paligjshme kundër Ukrainës dhe kërcënon aleatët tanë të NATO-s.”- tha senatori Tillis./Radar.al