Kosova dhe Bahamasi kanë nënshkruar një marrëveshje për heqjen reciproke të vizave, e cila mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy vendeve. Lajmin e bëri të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila vuri në dukje se pas njohjes së Kosovës nga Bahamasi dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në dhjetor, kjo është një vazhdim i natyrshëm i forcimit të partneritetit ndërmjet dy shteteve.
Osmani theksoi se marrëveshja dëshmon përkushtimin e përbashkët për të afruar qytetarët e dy vendeve, duke i lehtësuar udhëtimet dhe duke forcuar marrëdhëniet bilaterale. “Marrëveshja dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e lidhjeve ndërmjet qytetarëve tanë, duke i afruar ata edhe më shumë me njëri-tjetrin”, tha Osmani, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për bashkëpunimin dhe dialogun ndërkombëtar.

