“Babi mund të kishte vdekur sot”/ Aktorja nxjerr pamjet e plagëve: Mori flakë pasi polici shtyu molotovin drejt turmës
artjola artjola
TIRANË– Çdo fëmijë, prind, bashkëshorte motër e vëlla dje kanë qenë të shqetësuar e në alarm për shëndetin e jetën e të afërmeve të tyre policë, teksa kanë dalë në krye të detyrës gjatë protestës së opozitës.
Megjithatë ka pasur edhe persona të tjerë që janë lënduar mbrëmjen e së hënës.
Përmes një postimi në Facebook, aktorja e njohur shqiptare, Juli Emiri ka pësuar djegie së bashku me babain e saj, nga shpërthimi i një bombe molotov gjatë tubimit të opozitës mbrëmjen së djeshme në Tiranë.
I ati i aktores ishte përfshirë nga flakët pasi një efektiv policie shtyu bombën molotov larg vetes në momentin kur u sulmuan.
“Një nga flakëhedhëset që një protestues e hodhi në drejtim të bashkisë, një nga policët ia hodhi babit te këmbët. Babi mori flakë. Unë u sula t’ia shuaj, bashkë me protestues të tjerë. U dogja dhe unë. Pas disa minutash, ku godisnim me ç’të mundnim, flaka u shua.”-shkruan ajo.
POSTIMI I PLOTË:
Ky është babi im. Një nga flakëhedhëset që një protestues e hodhi në drejtim të bashkisë, një nga policët ia hodhi babit te këmbët. Babi mori flakë. Unë u sula t’ia shuaj, bashkë me protestues të tjerë. U dogja dhe unë. Pas disa minutash, ku godisnim me ç’të mundnim, flaka u shua. Gjatë gjithë kësaj kohe, policët për asnjë çast nuk na hodhën ujin me të cilin shpërndanin protestuesit.
Babi mund të kishte vdekur sot.
Nga ata që lexojnë këtë status, ka një pjesë që u bëhet qejfi e thonë “mirë t’u bëhet/ç’u duhej të dilnin/vetë hodhën flakëhedhëse(jo babi)”, ka një pjesë që u vjen tmerrësisht keq jo thjesht për babin,por se kuptojnë diktaturën që po u riinstalohet para syve me vrasës gjakftohtë dhe u shtohet forca dhe motivi për t’a mposhtur dhe një pjesë që u vjen keq por mendojnë “shyqyr që nuk isha/ja pse nuk duhet dalë në protestë se shiko ç’ndodh” pa e kuptuar sa shpejt do u vijë radha. Kjo pjesa e fundit është ajo që ka mbajtur gjithnjë Shqipërinë zvarrë, të nënshtruar, të pushtuar, të skllavëruar, që sjell e risjell diktaturën në një formë apo në një tjetër, periodikisht. Historia përsëritet aq herë sa nuk zëmë mend!