Një ngjarje tronditëse ka goditur qytetin Sestola në Apeninet e Modenës, ku një familje e njohur hotelierësh ka humbur dy anëtarë në rrethana tragjike, brenda të njëjtës ditë.
Fabio Marchioni, 36 vjeç, ndërroi jetë pas një aksidenti tragjik në lumin Dardagna më 8 korrik. Trupi i tij u zbulua pranë ujëvarave, në afërsi të urës mbi rrugën Porrettana (SP 324), në kufirin midis provincave të Modenës dhe Bolonjës. Sipas të dhënave fillestare, Fabio ishte zhytur në lumë por kishte pësuar një goditje të fortë në kokë, çka dyshohet të ketë qenë fatale. Zjarrfikësit e nxorën trupin pa shenja jete, ndërsa hetimet paraprake përjashtuan përfshirjen e palëve të treta, duke e cilësuar ngjarjen si një aksident tragjik.
Vetëm pak orë më vonë, u zbulua edhe një tjetër humbje fatale: babai i tij, Aurelio Marchioni, 65 vjeç, u gjet i pajetë nën urën Leo në Fanano. Dyshohet se dhimbja e thellë nga lajmi për humbjen e të birit e shtyu drejt një akti të dëshpëruar. Edhe pse hetimet vijojnë, pistat kryesore të autoriteteve lidhen me një gjendje të rënduar emocionale që çoi në këtë përfundim tragjik.
Familja Marchioni është e njohur në komunitet si pronare e hotelit historik “Del Corso” në qendër të Sestolës. Tragjedia aktuale vjen pas një humbjeje të mëparshme në familje, ku vite më parë kishin ndërruar jetë edhe vajza e tyre.
Ngjarja ka shkaktuar një tronditje të thellë në komunitetin lokal. Kryebashkiaku Fabio Magnani ka deklaruar se janë pezulluar ngjarje zyrtare dhe se po shqyrtohet shpallja e një dite zie për të nderuar familjen e goditur nga kjo fatkeqësi e dyfishtë.


