Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi sot punimet në autostradën Tiranë–Durrës, duke njoftuar se segmenti do të jetë plotësisht funksional për festat e fundvitit.
“Jemi në fazën e dytë të kantierit, me 3 korsi në secilën anë, plus korsinë e emergjencës. Dy nyjet lidhëse – ura e Laknasit dhe hyrja për në Rinas – janë pjesë e kësaj faze. Synimi është që autostrada të hapet për qarkullim në fund të dhjetorit”, tha Balluku.
Ajo shtoi se në planet e infrastrukturës përfshihet edhe zgjidhja e ngushticës së Kasharit, ndërsa falënderoi qytetarët për durimin gjatë trafikut të shtuar:
“Qytetarët kanë treguar mirëkuptim për trafikun. Lajmi që faza e parë dhe e dytë do të hapen deri në fund të vitit, besoj se do t’i lehtësojë ndjeshëm.”


