Një aksident i rëndë rrugor ka goditur ekipin e volejbollit të vajzave të Skënderbeut, teksa ato udhëtonin drejt Tiranës për të zhvilluar ndeshjen e dytë finale të kampionatit. Autobusi që i transportonte është përplasur me një automjet në aksin Prrenjas–Qafë Thanë, duke shkaktuar dëmtime te disa prej sportisteve.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i ekipit, Orlando Koja, tha se aksidenti ka qenë i fortë dhe se disa nga vajzat kanë pësuar lëndime të ndryshme. Sipas tij, tre lojtare janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
“Patëm një aksident shumë të rëndë. Jemi në Prrenjas. Tre vajza janë në urgjencë. Autobusi është bërë përshesh. Kemi dëmtime: njëra vajzë ka dëmtuar hundën, një tjetër gjurin, dhe një tjetër shpatullën. Jemi të shkundur dhe të tronditur”, deklaroi Koja.
Gjendja shëndetësore e vajzave pritet të vlerësohet më mirë pas kontrolleve mjekësore, ndërsa është ende e paqartë nëse ndeshja finale do të zhvillohet siç ishte parashikuar.