BERAT– Janë zbardhur detaje të reja nga atentati i djeshëm në Berat ndaj Altin Halilit. Të pyeturit në Policinë e Beratit kanë qënë vëllai i të ndjerit Sokol Kaloshi dhe 2 nipërit e tij,të cilët pasi kanë dhënë për disa orë deklaratat e tyre janë lënë të lirë.
Atentati ndaj Altin Halilit, ndodhi pasditen e djeshme në rrugën e fshatit Dyshnik. Atentatorët, që lëviznin me një automjet Hunday Tuscon, nuk kanë mundur dot as ta plagosin shënjestrën e tyre edhe pse kanë gjuajtur disa herë me kallashnikov drejt tij. Plumbat kanë prekur vetëm makinën e 46-vjeçarit,duke bërë “shoshë” xhamin e pasëm dhe sediljen e pasme të mjetit. Pas këtij atentati, Altin Halili ka dëshmuar në Policinë e Beratit duke hedhur dyshimet se autorët janë nga fisi i Kaloshëve,të zonës së Gradishtës, pjesë e bashkisë Divjakë.
Halili ka deklaruar se ai nuk ka pasur asnjë konflikt me persona të tjerë dhe se për vrasjen e kryer ka paguar me burg.Përpara gruput hetimor 46-vjeçari ka deklaruar se atentati i është bërë në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e bërë në vitin 1997.
Halili ka deklaruar në Policinë e Beratit se ai po kalonte përpara një shkolle private në Berat, ku në atë lagje do të takonte një mik dhe ka parë 3 persona të maskuar që i kishin zënë pritë. Pasi i ka parë, Halili ka shtuar shpejtësinë e mjetit dhe ka dashur t’i godasë me makinë por nuk ka mundur pasi ata kanë filluar ta gjuajnë me breshëri kallashnikovin.
Halili ka deklaruar se është ulur poshtë sediljes dhe pasi ka dëgjuar makinën që ka ikur me shpejtësi, ka lëvizur. Sipas Halilit, atentatorët janë larguar duke menduar se e kishin vrarë. Policia thotë se atentatorët kanë qenë duke qëlluar në ecje me automatik Skorpion dhe gëzhojat i kanë mbledhur,pasi nuk kanë zbritur fare nga makina.
Altin Halili është qëlluar me 10 plumba, të cilët kapën pjesën e pasme të makinës së tij. Më pas,rreth 20 km nga vendngjarja, autorët dogjën në fshatin Kozare në qytetin e Kuçovës, makinën e tyre, tip Hunday Tuscon.
Ndërkohë që grupi hetimor po vazhdon të punojë për zbardhjen e ngjarjes, strukturat e DVP Fier e Berat nuk kanë arritur ende të kapin deri më tani autorët e atentatit,pamvarësisht postblloqeve të shumta, të ngritura në çdo hyrje-dalje qyteti e fshati në Berat,Lushnje, Kuçovë e Fier.
Vlen të theksohet se shënjestra e atentatit, Altin Halili është dënuar për vrasjen e Sokol Kaloshit,vrasje e kryer në vitin 1997. Halili u dënua 15-vjet burgim dhe ka dalë nga burgu në vitin 2010. Pas daljes nga burgu,Halili u largua në Itali,nga ku ishte kthyer vetëm pak kohë më parë.


