Një person me inicialet B.Xh., nga Fushë-Kruja, është shoqëruar nga policia në kuadër të hetimeve mbi atentatin mafioz ndaj Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, ngjarje e ndodhur më 11 nëntor në Rinas. Ai nuk është i arrestuar, por po merret në pyetje pasi dyshohet se mund të ketë dijeni për rrethanat që mund të ndihmojnë zbardhjen e krimit.
Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe Muçi Shaljani sapo kishin mbërritur nga Spanja kur u zunë në pritë. Autoritetet shqiptare i kanë kërkuar informacion palës spanjolle për lëvizjet e tyre, por deri tani nuk ka një përgjigje zyrtare.
Hetimet çuan më pas në një banesë në Krujë, e kthyer në bazë armatimi, ndërsa u shpall në kërkim pronari i saj, Ylli Zalla. Dyshohet se prej aty ka lëvizur Toyota e atentatorëve, megjithëse nuk ka ende prova që e lidhin drejtpërdrejt me ngjarjen.
Sipas hetuesve, katër autorët – tre prej të cilëve zbritën nga makina dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi – u nisën nga zona e Krujës dhe u larguan sërish aty pasi kryen krimin. Mjeti i përdorur u gjet i djegur në fshatin Halil, së bashku me armët e zjarrit, por ekspertiza balistike nuk arriti të nxjerrë prova të rëndësishme për shkak të dëmtimeve nga flakët.


