Një ngjarje tronditëse politike goditi shtetin e Minnesota-s disa ditë më parë, ku në një atentat të armatosur humbën jetën ligjvënësja demokrate Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj, Mark Hortman. Në të njëjtin sulm mbeti rëndë i plagosur senatori John Hoffman dhe gruaja e tij.
Autori i dyshuar, Vance Luther Boelter, po përballet me gjashtë akuza të rënda – përfshirë përndjekje, dy akuza për vrasje dhe dy për armëmbajtje pa leje. Prokurori Joseph H. Thompson konfirmoi se dy nga akuzat për vrasje mund të çojnë në burgim të përjetshëm ose dënim me vdekje.
“Sulmi është një akt i frikshëm dhune politike – një sulm ndaj vetë demokracisë,” deklaroi Thompson. Ai shtoi se ngjarja është shembull i rritjes shqetësuese të ekstremizmit të dhunshëm politik në SHBA.


