Astronautja e NASA-s, Christina Koch, pjesë e misionit Artemis II, ka tërhequr vëmendjen e rrjeteve sociale pas publikimit të një videoje ku ajo ribashkohet me qenin e saj, Sadie, pas kthimit në Tokë.
Në pamjet e shpërndara online, qeni shihet duke e pritur me padurim dhe më pas duke vrapuar i emocionuar drejt saj, në një moment që është bërë menjëherë viral. Koch, e emocionuar, ndan çaste përqafimi me Sadie pas një mungese rreth 10-ditore gjatë misionit hapësinor.
Misioni Artemis II përbën një arritje të rëndësishme për eksplorimin hapësinor, si fluturimi i parë me astronautë që i afrohet Hënës pas më shumë se 50 vitesh. Koch ka hyrë në histori edhe si gruaja e parë që orbiton Hënën, duke u kthyer në një figurë simbol për praninë e grave në misionet hapësinore.
Artemis II astronaut Christina Koch shares the heartwarming moment she reunites with her dog, Sadie, after her history-making journey around the moon and back. pic.twitter.com/cAkyuLEJ5Z
— Fox News (@FoxNews) April 13, 2026
Pas kthimit, ajo ka ndarë edhe përjetimet e saj nga hapësira, duke përshkruar Tokën si një kombinim mbresëlënës drite dhe errësire. Sipas saj, kjo përvojë i ka forcuar ndjesinë e unitetit mes njerëzve dhe vlerës së planetit Tokë.
Megjithatë, momenti më i komentuar nga publiku ka mbetur ribashkimi i saj emocional me qenin Sadie, i cili është shpërndarë gjerësisht në rrjet dhe është kthyer në një nga videot më virale të kthimit të saj nga misioni.

