Një grabitje spektakolare ndodhi në Fremont, Kaliforni, ku rreth 20 hajdutë të maskuar bastisën dyqanin e bizhuterive “Kumar” dhe morën mallra me vlerë mbi 1.4 milion dollarë në më pak se një minutë, sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur grabitësit hynë me forcë në ambientet e dyqanit, duke përdorur çekiçë për të thyer vitrinat dhe duke marrë rreth 75–80% të bizhuterive të ekspozuara. Një zyrtar i policisë e përshkroi ngjarjen si:
“Një vjedhje në stil mafioz, e organizuar dhe shumë e shpejtë.”
Hajdutët u larguan me automjete që i prisnin jashtë, disa prej të cilave rezultuan të vjedhura, duke e vështirësuar ndjekjen për autorët. Një patrullë arriti të ndalojë një prej makinave, duke çuar në arrestimin e katër të rinjve, 19–20 vjeç, nga të cilët dy u liruan më pas.
Ngjarja, e regjistruar në video, ka ngritur shqetësime për sigurinë e bizneseve në zonë dhe tregon shkathtësinë dhe shpejtësinë e një grupi të organizuar grabitësish.

