Pas një sërë tolerimesh nga ana e autoriteteve, policia ka arrestuar më në fund Lendi Palajn, i njohur si figura kryesore pas lokaleve të basteve “333” dhe “CR7”.
Palaj u ndalua mbrëmjen e djeshme, në heshtje, pasi u përfshi në një konflikt me armë më 10 qershor në zonën e Ali Demit.
Në njoftimin zyrtar, policia dha vetëm inicialet dhe gaboi vitin e ngjarjes, por burime të sigurta konfirmojnë se bëhet fjalë për Njulend Palajn, i quajtur ndryshe Lendi.
Rasti shihet si një provë serioze për sistemin e drejtësisë, përballë një strukture të fuqishme të basteve të paligjshme.
Informacionet tregojnë se Palaj po përdor të gjitha kanalet për të dalë nga qelia, ndërsa drejtësia pritet të tregojë forcën e saj ndaj këtij rrjeti kriminal.
Palaj nuk figuron në QKB me kompani të regjistruara dhe në kronikat mediatike rezulton pothuajse i padukshëm, megjithatë konsiderohet “truri” i lokaleve ku lulëzojnë bastet sportive, pavarësisht ndalimit me ligj.
Hetimet zbulojnë se ngritja e tij nisi gjatë fushatës elektorale të vitit 2021.
Këto ambiente funksionojnë në pamje të parë si kafene ose pika lojërash, por në të vërtetë ofrojnë baste të paligjshme, me pagesa kesh apo në kriptovaluta, të mbrojtura nga VPN dhe platforma të centralizuara.
Lokalet nuk shfaqin tabela ose logo të basteve, por mjafton të kesh kontaktet e duhura për t’u përfshirë në sistem.
Ky pritet të jetë një nga provat më të rëndësishme për drejtësinë për të goditur një prej skemave më të sofistikuara të basteve në vend. / Voxnews

