Një shtetas shqiptar, i dënuar më parë me 21 vite burg për vrasje, është arrestuar nga autoritetet belge, pasi dyshohet se është autori i një plagosjeje të ndodhur më 21 mars në Place Bizet, Anderlecht.
Sipas hetuesve, gjatë një incidenti me armë zjarri, një person mbeti i plagosur, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën falë ndërhyrjes së menjëhershme të pronarit të një restoranti, ku viktima kërkoi ndihmë për të shpëtuar.
I dyshuari ka mohuar përfshirjen në ngjarje gjatë marrjes në pyetje nga policia, por pavarësisht kësaj, ndaj tij është ngritur akuzë dhe është vendosur nën mbikëqyrje elektronike nga një gjyqtar hetues.
Burimet hetimore theksojnë se, të paktën për momentin, ngjarja nuk duket të ketë lidhje me përplasjet e dhunshme për shkak të trafikut të drogës që kanë tronditur Belgjikën muajt e fundit. Sakaq, mediat belge kujtojnë se i arrestuari ka një të kaluar kriminale të rëndë, pasi është dënuar me 21 vite burg për vrasjen e një bashkatdhetari në vitin 2013.