Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë nisur kontrollet në terren dhe hetimet proaktive, të mbështetura nga inteligjenca policore.
Në bashkëpunim me Prokurorinë në Lezhë dhe Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Lezhë, operacioni i koduar “Seven” ka përfunduar me sukses.
Si rezultat i këtij operacioni, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Ç., 27 vjeç, i cili banon në fshatin Batra, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ai dyshohet se në një hapësirë pylli pranë fshatit të tij kishte kultivuar 374 bimë kanabis sativa në 7 parcela të ndryshme. Arrestimi u bë në njërën nga parcelat, ku ai u kap duke kujdesur për bimët në orët e vona të mbrëmjes.
Gjatë hetimit, është identifikuar një tjetër person, J. M., 33 vjeç, nga fshati Xhuxhë në Mirditë, si bashkëautor i dyshuar në këtë aktivitet kriminal të kultivimit të kanabisit në bashkëpunim me E. Ç. Hetimet për kapjen e tij vazhdojnë.
Në procesin e hetimit të banesës së E. Ç., është sekuestruar një armë gjahu çifte pa leje, ndërsa një armë tjetër gjahu me leje është bllokuar. Po ashtu, kryeplaku i fshatit Batra, shtetasi S. Gj., dyshohet për shpërdorim detyre për moskryerje të detyrave të tij funksionale në zonën e përfshirë.
Materialet e grumbulluara në lidhje me këto raste janë paraqitur te Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë, për veprime të mëtejshme ligjore.