Një 20-vjeçar, A. S., është arrestuar nga policia e Tiranës pas një incidenti të rrezikshëm në rrugën “Dervish Hima”, ku ai kryente manovra të rrezikshme me automjet, duke vënë në rrezik jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës.
Sipas policisë, kur oficerët i bënë shenjë për ndalim, i riu rriti shpejtësinë e mjetit dhe përplasi automjetin e policisë, duke rrezikuar efektivët në detyrë. Ngjarja është dokumentuar me prova, ndërsa ndaj 20-vjeçarit rëndojnë akuza për mosbindje ndaj policisë, rrezikim të jetës së punonjësve të rendit dhe prishje të rendit publik në qarkullim rrugor.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.


