Pas më shumë se pesë orësh në Prokurorinë e Posaçme, Arbër Veliaj, vëllai i kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, u largua nga ambientet e SPAK. Ai u thirr në cilësinë e personit që ka dijeni për hetimet ndaj Erion Veliajt, por dha shpjegime edhe për marrëdhëniet financiare me kunatën e tij, Ajola Xoxa.
Jashtë godinës së SPAK, vëllai i kryebashkiakut deklaroi shkurtimisht:
“Erdha vullnetarisht të sqaroj pozicionin tim”, duke shmangur çdo koment tjetër mbi pyetjet e prokurorëve.
Hetimet ndaj tij u intensifikuan pas dhjetorit 2024, kur SPAK urdhëroi kontrolle në bizneset e Arbër Veliajt dhe sekuestrimin e celularit të tij, si pjesë e dosjes që përfshin edhe kryebashkiakun e Tiranës.
Erion Veliaj, i cili ndodhet aktualisht nën masë sigurie, akuzohet për katër vepra të rënda penale, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, familjarë të saj, biznesmenë, kompani private dhe organizata jofitimprurëse.
Në ditët e fundit, ish-kryebashkiaku ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme pavlefshmërinë e disa akteve të dosjes, duke pretenduar shkelje të rënda procedurale nga ana e SPAK.
Radar.al


