Aktorja e njohur Anne Hathaway është shpallur nga revista People si “Gruaja më e bukur në botë”, duke u shfaqur në kopertinën e numrit të muajit maj.
Në një intervistë shoqëruese, 43-vjeçarja ka folur për karrierën e saj, jetën familjare dhe perceptimin mbi bukurinë, duke theksuar se për të, bukuria lidhet ngushtë me të vërtetën dhe autenticitetin. Ajo u shpreh se, sipas një regjizori që kishte punuar më herët me të, “bukuria mund të përmbajë edhe shëmtinë, për sa kohë që brenda saj ka të vërtetë”.
Hathaway ka ndarë gjithashtu detaje nga rutina e saj e mirëmbajtjes fizike, duke vlerësuar punën me trajneren personale Monique Eastwood, me të cilën kombinon metoda të ndryshme stërvitjeje si pilates, yoga, balet dhe ushtrime intensive.

Aktorja, nënë e dy fëmijëve, Jonathan dhe Jack, ka folur edhe për jetën familjare, duke theksuar se ndihet me fat për mëmësinë dhe mbështetjen që merr nga bashkëshorti i saj, Adam Shulman, me të cilin është e martuar që nga viti 2012.
Në intervistë, ajo ka shprehur mirënjohje për rrugëtimin e saj si nënë dhe ka vlerësuar rolin e familjes në balancimin e jetës profesionale dhe personale.