Procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve po shkon drejt përfundimit, me më pak se tetë muaj deri në qershor 2026, kur skadon mandati kushtetues.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, gjatë vizitës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) dhe takimit me kryetarin Sokol Çomo, theksoi rëndësinë e finalizimit të të gjitha aktiviteteve të vetingut përpara afatit ligjor.
Në një njoftim në rrjetet sociale, zyra e Delegacionit të BE-së në vend theksoi se:
“Vetingu mbetet shtylla kurrizore e reformës në drejtësi dhe përfundimi i tij është një hap themelor në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.”
Delegacioni nënvizoi gjithashtu mbështetjen e fortë ndaj procesit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM):
“Sulmet e fundit të pajustifikuara dhe dezinformimi ndaj ONM-së dhe vëzhguesve të saj ndërkombëtarë janë të papranueshme dhe synojnë të minojnë besimin te sistemi i drejtësisë dhe reforma në drejtësi.”

