Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së të akredituar në Tiranë, si edhe me përfaqësues të Partisë Demokratike.
Në këtë takim, të mbajtur në ambientet e Delegacionit të BE-së, morën pjesë edhe deputetët demokratë Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi, me fokus procesin e integrimit evropian dhe reformat kryesore në vend.
Sipas Gonzatos, diskutimet u përqendruan te reforma të rëndësishme që kërkojnë domosdoshmërisht mbështetje nga të dyja palët politike, si reforma zgjedhore dhe ajo territoriale.
Ai theksoi se një proces legjislativ transparent dhe gjithëpërfshirës në Kuvend, me angazhimin aktiv të të gjitha grupeve parlamentare dhe konsultime të plota me shoqërinë civile, është thelbësor për miratimin e reformave të qëndrueshme në funksion të qytetarëve dhe procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gonzato nënvizoi gjithashtu rëndësinë e pjesëmarrjes demokratike dhe bashkëpunimit politik si elemente kyçe për avancimin e agjendës evropiane të vendit.