Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka bërë thirrje të enjten që udhëheqësit politikë të vendit të japin përparësi progresit dhe stabilitetit, duke paralajmëruar se ngërçi politik po i kushton vendit.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënëse e Ambasadës theksoi se partitë parlamentare duhet të bashkëpunojnë për të formuar institucionet e reja në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Kjo bllokadë e vazhdueshme politike po i kushton Kosovës me humbje të mundësive. Është koha që udhëheqësia të vendosë përparësi tek progresi dhe stabiliteti, për të mirën e të gjithë qytetarëve”, tha ajo.
Deklarata vjen një ditë pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, ku asnjë nga dy kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, nuk mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentar.
Përveç SHBA-së, edhe Bashkimi Evropian dhe Ambasada italiane kanë bërë thirrje që partitë parlamentare të themelojnë sa më parë institucionet e reja, ndërsa Vetëvendosje akuzon partitë e tjera për bllokimin e formimit të institucioneve.
Kriza politike disamujore ka nisur pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, ku asnjë parti nuk arriti shumicën e nevojshme. Vetëvendosje doli e para me 48 ulëse, PDK-ja e dyta me 24, LDK-ja e treta me 20, ndërsa Lista Serbe dhe koalicioni AAK–Nisma mbajnë pjesën tjetër të ulëseve të pakicave.


