Site icon Informohu siç duhet

Alegri kërkon një “bomber” të gatshëm te Milani, emrat në radarin e Tares

Vera e Milanit do të rrotullohet rreth një prioriteti shumë të qartë, blerja e një sulmuesi të mirëfilltë qendror, një “numër 9” klasik që ka munguar prej kohësh te kuqezinjtë, që nga koha e Zlatan Ibrahimoviç dhe Olivier Zhirud. Këtë sezon, Masimiliano Alegri u përpoq ta shndërronte Rafael Leaon në një sulmues qendror, por pa sukses. Për këtë arsye, klubi do të rikthehet në merkato për të zgjidhur përfundimisht problemin e repartit ofensiv, pas shumë viteve dhe investimeve të pasuksesshme.

KËRKESA E ALEGRIT

Sipas “Corriere della Sera”, trajneri italian, në takimet e para për merkaton me administratorin Xhiorxhio Furlani dhe drejtorin sportiv Igli Tare, ka qenë shumë i qartë. Ai kërkon një lojtar me eksperiencë, të gatshëm për të dhënë rezultat menjëherë. Jo eksperimente apo baste, por një sulmues që garanton gola që në momentin e parë. Mes emrave që po monitorohen janë edhe dy lojtarë që mund të transferohen falas këtë verë: Robert Levandovski (Barcelona), agjenti i tij pritet të takohet me Milanin dhe Juventus; Dushan Vlahoviç, më i ri dhe një projekt më afatgjatë.

EMRA TË TJERË NË LISTË

Alegri pëlqen shumë edhe Aleksander Sorloth, sulmues i Atletiko Madrid, i cili do të kishte një kosto më të ulët në paga, ndërsa transferimi i tij vlerësohet rreth 25-30 milionë euro. Më i vështirë është operacioni për Serhou Guirasi i Borusia Dortmund, i cili ka një klauzolë lirimi prej 80 milionë eurosh. Emra të tjerë pritet të dalin në javët në vijim, por një gjë është e sigurt, Milani nuk mund të gabojë më në këtë zgjedhje, pas shumë vendimesh të gabuara në vitet e fundit./PanoramaSport

Exit mobile version