Pas marrjes së detyrës si ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë reagimin e saj të parë publik, duke theksuar se do ta ushtrojë këtë përgjegjësi me përkushtim maksimal dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën.
Në një postim në Facebook, Haxhiu u shpreh se prioriteti i saj do të jetë garantimi i funksionimit të pandërprerë të institucioneve dhe ruajtja e rendit kushtetues. Ajo theksoi se mekanizmat kushtetues të Kosovës sigurojnë vazhdimësinë dhe stabilitetin institucional, edhe në këtë periudhë tranzitore.
Sipas saj, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vijojë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri brenda afateve të përcaktuara nga Kushtetuta, duke shmangur çdo vakum institucional.
Në fund të mesazhit, Haxhiu falënderoi ish-presidenten Vjosa Osmani për shërbimin ndaj vendit dhe i uroi suksese në angazhimet e saj të ardhshme politike dhe publike.

