Ata flasin për reformë. Letra që ua dërguan ambasadorëve përshkruan diçka tjetër : kalimin e pushtetit nga institucionet e zgjedhura te një autoritet i pazgjedhur.
Letra e Grupit Koordinues të Protestës, dorëzuar ambasadorëve perëndimorë në Tiranë, mbyllet me një fjali që e tradhton të gjithë dokumentin: “Këto kërkesa përfaqësojnë shprehjen e qartë dhe legjitime të një populli sovran.” Le ta nisim aty ku ata e mbyllin, te fjala “popull”. Cili popull. Kush e mban këtë vullnet. Kush i ka veshur trembëdhjetë emrave nën këtë letër të drejtën për të folur në emër të një kombi. Përgjigjja është e thjeshtë dhe e pakëndshme: askush. Dhe pikërisht aty, te kjo zbrazëti, qëndron e gjithë e vërteta e kësaj letre. Fjala që përsëritet më shumë në të është “reformë”. Fjala që mungon, sepse nuk guxon të shkruhet, është “pushtet”.
Sovraniteti popullor nuk është një atmosferë mbledhjeje. Është një procedurë. Ka një bartës të vetëm, votuesin, dhe ka një vend të vetëm ku flet, kutinë e votimit. Gjithçka tjetër është interpretim. Një trup njerëzish, sado i sinqertë, sado i zhurmshëm në shesh, nuk e trashëgon vullnetin e përgjithshëm thjesht duke u vetëshpallur bartës i tij. Ai që shet votën e popullit pa e pasur atë votë në dorë nuk është më pak uzurpator se ai që ia merr me forcë. Të dy flasin në emër të dikujt që nuk i ka autorizuar.
Dhe le ta themi qartë faktin që e zhbën gjithë skenografinë: Shqipëria është një demokraci pluraliste, me institucione kushtetuese funksionale, me zgjedhje periodike dhe me një proces negociues të hapur me Bashkimin Europian. Ka të meta, ka beteja të pambaruara me korrupsionin dhe me cilësinë e votës; askush nuk e mohon këtë. Por të metat e një demokracie ndreqen brenda saj, me votë dhe me ligj, jo duke ia dorëzuar pushtetin një trupi që nuk e zgjodhi njeri. Kush pretendon se po jeton nën një regjim që rrëzohet vetëm me letër drejtuar të huajve nuk po përshkruan Shqipërinë e vitit 2026. Po përshkruan një vend imagjinar, që i nevojitet vetëm si justifikim.
Sepse ai vend imagjinar i përket një shekulli tjetër, dhe pikërisht ai shekull është çelësi.
Gjuha e “popullit sovran” dhe e “vullnetit të popullit” nuk është gjuha e një lëvizjeje qytetare europiane. Është gjuha e Revolucionit Francez, e Rusoit të kthyer në sëpatë nga Robespierri, fjalori me të cilin pak vetë vendosnin se çfarë donin miliona dhe ua impononin atyre në emër të tyre. Por mekanizmi që këta propozojnë nuk është as ai i jakobinëve. Është i asaj që erdhi pas tyre, kur revolucioni u lodh dhe pushteti u mblodh në duar pa votë. Dorëhiqu, kryeministër. Dorëzoje pushtetin. Vjen një qeveri që nuk e zgjodhi askush, me një mandat njëvjeçar që asnjë rend kushtetues nuk e parashikon, dhe ajo qeveri vendos pastaj se si do të riorganizohet shoqëria. Modeli që propozojnë ndjek logjikën e Drejtorisë franceze: pushteti kalon te një trup që nuk buron drejtpërdrejt nga zgjedhjet dhe që kërkon të riorganizojë rendin politik përpara se t’ia kthejë fjalën zgjedhësit. Dhe ka një hollësi që e bën rastin shqiptar edhe më të rëndë. Drejtoria, sado e kritikueshme, ishte organ kushtetues i krijuar nga Kushtetuta e Vitit III; kishte një bazë juridike sipas rendit të kohës së vet. Qeveria njëvjeçare që kërkohet sot nuk ka as atë. Asnjë nen i Kushtetutës shqiptare nuk e njeh. Pra propozohet logjika e Drejtorisë, pa as atë mbulesë juridike që Drejtoria të paktën e kishte. Dorëhiqu ti që ke votat. Vijmë ne që s’kemi asnjë. Dhe pastaj qeverisim ne.
Drejtoria kishte një tipar përcaktues, që këta nënshkrues e kanë riprodhuar pa e ditur as vetë. Ajo nuk qeveriste vetëm pa mandat. Ajo anulonte zgjedhjet që nuk i pëlqenin. Më 18 Fruktidor të Vitit V (4 shtator 1797), pas një grushti shteti, Drejtoria anuloi fitoret elektorale të rojalistëve. Më 22 Floreal të Vitit VI (11 maj 1798), ajo shpalli të pavlefshme edhe një pjesë të fitoreve të së majtës jakobine. Në të dy rastet, Drejtoria përdori forcën shtetërore për të shpallur të pavlefshme rezultate zgjedhore që nuk i pëlqenin. Trupi që fliste më shumë se kushdo për vullnetin e popullit ishte i njëjti që ia mohonte popullit votën sa herë vota dilte e gabuar. Kthehuni tani te sheshi i Tiranës, në ditën e njëzeteshtatë, kur nga turma u kërkua anulimi i zgjedhjeve të ardhshme. Ky nuk është më krahasim letrar. Është e njëjta lëvizje e shpirtit, e përsëritur fjalë për fjalë pas dyqind e tridhjetë vjetësh. Ata që duan të flasin në emër të sovranit nisin duke i kërkuar sovranit të heqë dorë nga e vetmja gjë që e bën sovran, e drejta për të votuar. Kush ia kërkon popullit të heqë dorë nga vota nuk e do popullin sovran. E do veten në pushtet.
Pastaj është paradoksi që e zbulon gjithçka. Një letër që thirret te “vullneti i popullit sovran” nuk i drejtohet popullit. Nuk i drejtohet Kuvendit, as Presidentit, as qytetarit shqiptar. I drejtohet ambasadorëve të huaj. Sovrani i vetëshpallur shkon të kërkojë vërtetimin e sovranitetit të vet jashtë kufijve të vendit. Kush e mban vërtet legjitimitetin e popullit nuk shkon ta lypë njohjen në dyert e ambasadave. Atje shkon vetëm ai që e di se brenda nuk e ka, dhe shpreson ta marrë nga jashtë atë që votuesi nuk ia dha.
Tani kërkesat, një nga një, sepse aty zbulohet se reforma është kostum, jo qëllim.
“Reformë tërësore kushtetuese, që të miratohet përmes referendumit popullor.” Tingëllon solemne derisa pyet se çfarë do të thotë. Kushtetuta shqiptare nuk e njeh referendumin si rrugën e zakonshme të ndryshimit kushtetues; ndryshimet miratohen nga Kuvendi me shumicë të cilësuar, sipas procedurës kushtetuese, dhe referendumi mbetet një mundësi e kushtëzuar, jo porta kryesore. Pra ose nuk e njohin mekanizmin që pretendojnë se duan ta vënë në lëvizje, ose e njohin dhe duan ta kapërcejnë. Të dyja janë verdikt mbi njerëz që thirren te shteti i së drejtës. Ata kërkojnë ligjshmërinë me njërën dorë dhe shkeljen e saj me tjetrën, brenda të njëjtit paragraf, sepse ligji i intereson vetëm si fjalë, jo si kufi mbi vete.
Pika e katërt e tregon edhe interesin që fshihet pas fjalës. Shfuqizimi i kuadrit për Investimet Strategjike, i ligjit për zonat e mbrojtura, i paketës së maleve. Vini re kontradiktën, sepse aty bie maska. Këta thirren te vlerat e përbashkëta euroatlantike dhe në të njëjtën frymë kërkojnë të shembet kuadri ligjor që sjell pikërisht kapitalin perëndimor të cilin ato vlera e mbartin. E duan destinacionin, anëtarësimin në Union, por kërkojnë të prishet rruga që të çon atje. Heqja e gjithë këtij kuadri ligjor nuk prodhon automatikisht një model më të mirë zhvillimi. Ajo prodhon një vakum normativ, me pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë juridike të investimeve, pikërisht atë siguri që çdo ekonomi e hapur europiane e ruan si themel. Kërkesa për të shembur rregullat, e paraqitur si mbrojtje, nuk lë pas më shumë mbrojtje. Lë pas më pak rregull.
Dhe pastaj e pesta, që e thotë gjithçka pa dashur. “Hartimin e një kontrate të re shoqërore ndërmjet qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me intelektualë të pavarur dhe ekspertë teknikë jopartiakë.” Problemi këtu nuk është metafora e kontratës shoqërore; ajo përdoret edhe sot, dhe me vend. Problemi është pretendimi se kjo kontratë mund të rishkruhet nga një trup ekspertësh që nuk mban asnjë mandat demokratik. Shqipëria e ka shtetin. E ka kushtetutën. E ka rrugën drejt Brukselit të hapur para syve. Kush propozon ta rishkruajë kontratën themeltare me një trup të pazgjedhur nuk po e modernizon vendin. Po kërkon të ulet vetë në karrigen ku ulen të zgjedhurit, pa kaluar nga vota. Sepse “ekspertë të pavarur” dhe “përfaqësues jopartiakë” do të thotë gjithmonë ne, ata që e shkruan letrën, ata që nuk i votoi askush.
Pra le ta lexojmë zinxhirin për atë që është. Dorëhiqu, kryeministër i zgjedhur. Pushteti i kalon një qeverie që nuk e voton askush. Ajo qeveri, e paprekur nga vota, merr mandat dymbëdhjetëmujor. Brenda atij mandati ajo rishkruan kushtetutën. Rishkruan Kodin Zgjedhor. Rishkruan ligjin për financimin e partive. Dhe pastaj, mbi rregullat që i shkroi vetë, mbahen zgjedhjet që vendosin se kush qeveris më pas. Ndaluni te ky hap, sepse aty fshihet gjithçka. Trupi që nuk e zgjodhi askush do të shkruajë rregullat e zgjedhjes që zgjedh pasardhësin e tij. Kush mban pushtetin pa votë dhe njëkohësisht harton ligjin zgjedhor, harton biletën e vet. Kjo nuk është qeveri kalimtare. Një qeveri kalimtare e mban karrigen të ngrohtë dhe largohet. Kjo e rindërton karrigen, vendos kush ulet në të dhe shkruan rregullat se si do të zgjidhet ai që vjen. Pushteti që nuk buron nga asnjë votë, që nuk i jep llogari asnjë vote dhe që nuk shkarkohet dot nga asnjë votë nuk është tranzicion. Është thjesht pushtet, lloji më i vjetër, ai që ekzistonte para demokracisë dhe ëndërron të kthehet.
Prandaj titulli nuk është provokim, është përfundim. Këta nuk duan reformë. Reforma është emri i bukur që i vunë oreksit. Çfarë duan vërtet lexohet midis rreshtave, te qeveria që s’voton askush, te zgjedhjet që duan të anulohen, te ligji zgjedhor që duan ta shkruajnë pa votë në dorë, te kontrata shoqërore që duan ta rihartojnë vetë. Duan pushtetin, dhe e duan të zhveshur nga e vetmja gjë që e bën të durueshëm: pesha e votës që e legjitimon. Duan të qeverisin pa u zgjedhur, dhe ta quajnë këtë demokraci.
Dhe këtu vjen pjesa që duhet të na shqetësojë më shumë se vetë letra. Ky dokument qarkullon prej ditësh, dhe askush në Tiranë nuk e ka lexuar siç meriton të lexohet, rresht pas rreshti, me sy të ftohtë. Klasa që duhej ta bënte këtë punë është e ndarë në dy kampe, dhe të dyja janë braktisje. Njëri kamp luan një neutralitet të rremë: mat turmën, numëron ditët, peshon parullat, pyet “a do fitojë protesta” sikur kjo të ishte e vetmja pyetje, dhe me këtë pyetje shmang detyrimin për të gjykuar. Neutraliteti që refuzon të lexojë nuk është paanësi. Është frikë me sjellje të mira. Kampi tjetër është dorëzuar para duartrokitjes, duke ndjekur pëlqimet që dalldia populiste i shpërndan bujarisht kujtdo që i bën lajka sheshit. Ai nuk shkruan për lexuesin; shkruan për algoritmin. Ka ngatërruar publikun me ndërgjegjen, dhe numrin e pëlqimeve me të vërtetën.
Një dokument që i kërkon një qeverie të zgjedhur t’ua dorëzojë pushtetin të pazgjedhurve nuk duhet duartrokitur dhe nuk duhet “balancuar”. Duhet marrë në pyetje. Detyra e parë e shtypit dhe e intelektualit përballë një lëvizjeje nuk është entuziazmi. Është leximi. Kur askush nuk lexon, çdo oreks për pushtet vishet me fjalën reformë dhe kalon i pasfiduar.
Sovrani që ata thërrasin ka një adresë, dhe nuk është ambasada. Është kutia e votimit. Derisa të shkojnë atje dhe ta marrin atë që kërkojnë me votë, nuk janë zëri i popullit. Janë trembëdhjetë firma që presin nga jashtë lejen për të qeverisur brenda. Ky është thelbi i dokumentit: jo reforma, por pushteti.


