Aktori i humorit, Albano Bogdo, ka folur për herë të parë hapur për divorcin e prindërve të tij dhe barrën emocionale që mbajti që fëmijë.
Në një intervistë për ‘Grida Duma Podcast’, Albano tregoi se ndarja e prindërve ndodhi vetëm gjashtë muaj pas vdekjes së gjyshit të tij, një periudhë e vështirë për familjen.
“Nuk e kisha pritur. Nuk dallohej në shtëpi,” tha ai, duke shtuar se babai i tij, një njeri korrekt dhe gjakftohtë, u largua duke thënë: “Nuk jam i lumtur, jam i lumtur diku tjetër.”
Momenti më i vështirë, sipas aktorit, ishte presioni i jashtëm: “Vinin të gjithë dhe më thonin: ‘tani je burri i shtëpisë, duhet t’i vësh shpatullat shtëpisë’. Unë s’kisha mbushur 12 vjeç.”
Albano gjithashtu ndau raportin e ngushtë me të ëmën, të cilën e konsideron jo vetëm si nënë, por edhe si mikeshë të përjetshme. “I thashë: çfarëdo që të ndodhë, ne do jemi shokë të ngushtë derisa të vdesë njëri nga ne. Unë nuk do të të lë asnjëherë vetëm,” rrëfeu ai.

