Agjencia për Media dhe Informim pranë qeverisë shqiptare ka reaguar pas paralajmërimit të Shtetet e Bashkuara në Tiranë, ku thuhej se grupet e lidhura me Irani mund të shënjestrojnë subjekte amerikane ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.
Në një reagim për mediat, MIA thekson se agjencitë ligjzbatuese shqiptare nuk disponojnë asnjë informacion që të konfirmojë një rrezik të tillë.
MIA shton se paralajmërime të tilla jepen shpesh nga ambasada amerikane, edhe në raste të tjera, duke i konsideruar si masa rutinë sigurie.
Në fund të reagimit, institucioni u bën thirrje qytetarëve amerikanë të mos heqin dorë nga vizitat në Shqipëri, duke theksuar potencialin turistik të vendit, mikpritjen dhe ofertën kulinare.
“Ambasada e SHBA jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja, por agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane”, thuhet në reagim.
“Kështu që ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në reagimin e MIA-s.

