Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, duke çuar në një alarm kombëtar për sigurinë ushqimore. Një burrë 52-vjeçar nga Napoli humbi jetën, ndërsa nëntë persona të tjerë, mes tyre dy familjarë të tij, përfunduan në spital pas konsumimit të brokolit të konservuar në vaj. Dyshohet se produkti ishte i kontaminuar me bakterin Clostridium botulinum, që prodhon neurotoksinën vdekjeprurëse të botulizmit.
Viktima, Luigi Di Sarno, ndodhej me pushime në Kalabri kur shfaqi simptomat e para. Fillimisht ai u paraqit në një klinikë private në Belvedere Marittimo, por më pas vendosi të kthehej drejt shtëpisë. Gjatë udhëtimit, gjendja e tij u përkeqësua në mënyrë dramatike dhe humbi jetën pranë Lagonegro-s.
Prokuroria e Paolës ka hapur hetime për “vrasje si pasojë e një krimi tjetër” dhe “tregtim të ushqimeve të dëmshme”, duke urdhëruar sekuestrimin urgjent të të gjitha kavanozëve me brokoli në vaj në mbarë Italinë. Po shqyrtohet edhe mundësia e neglizhencës mjekësore në trajtimin e rastit.
Departamenti i Shëndetësisë i Rajonit Kalabri ka aktivizuar protokollin emergjent në bashkëpunim me Qendrën Anthelmimit të Pavias – e vetmja në Itali e autorizuar për menaxhimin e botulizmit – dhe ka vendosur në dispozicion rezerva të antidotit në spitalin “Annunziata” të Cosenza-s, një masë e pazakontë për situata të tilla.
Ky nuk është rasti i vetëm: vetëm disa ditë më parë, tetë persona u shtruan në spital në Sardenjë pas një eventi gastronomik, ku dyshohet se shkak i helmimit ishte një sallatë guacamole. Autoritetet paralajmërojnë se rreziku mund të përhapet dhe po kryejnë analiza të detajuara për të identifikuar burimin e saktë të kontaminimit.

