Një tjetër rast shqetësues për sigurinë ushqimore është zbuluar në kufirin verior të vendit. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar 25 ton misër të importuar nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë treguar se produkti ishte i kontaminuar me aflatoksinë, një toksinë me efekte kancerogjene që krijohet nga myku tek drithërat.
Ngarkesa u ndalua në pikën kufitare të Hanit të Hotit, ku inspektorët e AKU-së, gjatë kontrolleve rutinë, identifikuan përmbajtjen e lartë të aflatoksinës në ushqimin për kafshë.
“Është konstatuar gjatë aksioneve tona një ngarkesë misri me aflatoksinë, gjithashtu janë bllokuar dhe ngarkesat e tjera. Janë marrë 10 kamionë misri, ndërsa sasia e produktit të bllokuar me aflatoksinë është 25 ton, dhe është vendosur që të asgjësohet pasi të bëhet verifikimi i të gjitha veprimeve administrative”,
– deklaroi Poliksen Drazho nga AKU.
Sipas ekspertëve, rreziku nuk kufizohet vetëm te kafshët, pasi ushqimi i tyre me produkte të ndotura me aflatoksinë mund të çojë në kalimin e toksinës në qumësht, duke rrezikuar kështu edhe shëndetin e konsumatorëve.
Në kuadër të këtij alarmi, AKU ka njoftuar se do të forcojë kontrollet në të gjitha pikat doganore dhe çdo ngarkesë me ushqim blegtoral do t’i nënshtrohet analizave përpara se të hyjë në tregun shqiptar.

