ANGLI– Pasditen e kësaj të diele ka ndodhur një incident i rëndë ajror në aeroportin e Southend, në Essex të Anglisë, ku një avion i vogël u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga pista.
Policia lokale njoftoi se ndodhet në vendngjarje dhe po bashkëpunon me të gjitha shërbimet emergjente.
“Operacionet do të zgjasin për disa orë. U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin zonën gjatë ndërhyrjes.”- thuhet në deklaratën zyrtare.
Gazeta Telegraph raporton se bëhet fjalë për një avion të vogël me dy motorë, i tipit Beechcraft King Air B200, që kishte si destinacion qytetin Lelystad në Holandë.
Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë re të dendura tymi të zi mbi aeroport, ndërsa një dëshmitar okular tha për mediat lokale se “pa një sferë të madhe flakësh” në momentin e përplasjes.
Për momentin, nuk ka informacion zyrtar mbi numrin e personave që ndodheshin në bord dhe as për shkaqet e aksidentit. Hetimet janë në zhvillim të plotë./Radar.al


