Gjykata e Lartë në Londër ka vendosur të mos ekstradojë Ilirian Zeqajn, një 52-vjeçar shqiptar i akuzuar për një vrasje të dyfishtë në fund të viteve 1990 në Shqipëri, duke e cilësuar procesin ndaj tij si shkelje të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Zeqaj, i cili ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 1999 nën një identitet të rremë kosovar, është dënuar në mungesë në Shqipëri në vitin 2002 për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ai u ekstradua në vitin 2013, por pas apelimit u shpall i pafajshëm dhe u rikthye në Britani në vitin 2014.
Megjithatë, në vitin 2017, një gjykatë shqiptare anuloi vendimin e pafajësisë dhe urdhëroi një rigjykim — një seancë ku Zeqaj dhe avokati i tij nuk ishin të pranishëm. Në bazë të këtij vendimi, Shqipëria kërkoi përsëri ekstradimin e tij, i cili fillimisht u pranua nga gjykatat britanike dhe Home Office në vitin 2024.
Por në vendimin përfundimtar të dhënë të mërkurën, gjyqtarët Lord Justice Popplewell dhe Mr Justice Saini urdhëruan lirimin e Zeqajt, duke argumentuar se procesi ndaj tij në Shqipëri është i komprometuar. Ata theksuan se vendimi për rigjykim u mor nga gjyqtarë që më vonë u shkarkuan nga vettingu, çka ngre dyshime serioze për paanshmërinë e tyre. Po ashtu, mungesa e mbrojtjes ligjore në seancë dhe vonesat e pajustifikuara në rigjykim u cilësuan si të papranueshme.
Gjykata vlerësoi se nëse ekstradohej, Zeqaj rrezikonte të përballej me një gjyq të padrejtë dhe cenim serioz të të drejtave të tij. Kështu, ekstradimi i tij u refuzua përfundimisht.


