Gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonominë dhe Financat, kryetari Eduard Shalsi ngriti pyetje për kreun e KLSH, Arben Shehu, lidhur me çështjen e akulloreve të kontaminuara në vitin 2021, që ishte përmendur në raportimin e një dite më parë.
Shalsi vuri në dukje se rasti i audituar nga KLSH nuk ishte raportuar. Kjo u kundërshtua nga Shehu, i cili theksoi se rasti ishte raportuar dhe madje kishte pasur edhe një kallëzim penal, por nuk ishte bërë publik.
Shalsi: “Dje pas deklaratës tuaj kemi marrë shumë mesazhe shqetësuese nga qytetarët për akulloret e kontaminuara, për të cilat AKU kreu veprimet e duhura dhe i largoi nga tregu pas sinjalizimit. Po ju pyes, çfarë ju shtyu në vitin 2024 të sillni çështjen e vitit 2021, që nuk e keni ngritur në raportet e viteve të mëparshme?”
Shehu u përgjigj se stabiliteti i institucionit është i rëndësishëm dhe se situata është trajtuar me vlerësimin e duhur për të lidhur logjikën, jo për ndëshkimin e individëve.
Shalsi theksoi se komisioni është alarmuar nga lajmi dhe ka përgjegjësi për të ballafaquar faktet. Shehu shtoi se trajtimi i rastit është bërë për shkak të nevojës emergjente për sëmundjet tumorale që lidhen me këtë produkt, dhe se raporti ka pasur edhe një kallëzim penal.
Në përfundim, Shalsi shprehu shqetësimin se deklaratat e bëra kanë shkaktuar panik tek qytetarët dhe kërkoi qartësime për veprimet e KLSH në lidhje me këtë çështje. Shehu konfirmoi se raporti për akulloret ishte vënë në dispozicion që në vitin 2022 dhe se qëllimi ishte parandalimi.