Site icon Informohu siç duhet

AKU bllokon 25 tonë misër të kontaminuar me aflatoksinë nga Serbia, ndalon edhe 10 kamionë të tjerë të dyshuar

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka rritur ndjeshëm kontrollet në pikat doganore, duke analizuar çdo ngarkesë ushqimi blegtoral përpara se të shpërndahet në stallat që furnizojnë fabrikat e qumështit, me synim garantimin e sigurisë ushqimore në vend.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, AKU ka bllokuar 25 tonë misër të ardhur nga Serbia, pasi analizat laboratorike zbuluan se ngarkesa ishte e kontaminuar me aflatoksinë, një toksinë kancerogjene. Ngarkesa u ndalua në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe do të asgjësohet pasi të përfundojnë të gjitha procedurat administrative.

Sipas Poliksen Drazhos, specialiste pranë AKU-së, prania e aflatoksinës në ushqimin e kafshëve paraqet rrezik të drejtpërdrejtë si për bagëtinë, ashtu edhe për konsumatorët, pasi toksina mund të kalojë në qumësht. Përveç kësaj sasie, AKU ka bllokuar edhe 10 kamionë të tjerë me misër të konsideruar të pasigurt, ndërsa janë marrë 10 mostra që ndodhen në proces analizimi.

“Është konstatuar një ngarkesë misri me aflatoksinë dhe janë bllokuar edhe ngarkesat e tjera të ardhura, pasi konsiderohen të dyshuara. AKU ka bllokuar 25 tonë produkt, i cili do të asgjësohet pasi të kryhen të gjitha verifikimet administrative”, deklaroi Drazho për Top Channel.

Exit mobile version