Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njoftoi se gjatë një kontrolli të ushtruar në Tregun e Milotit, nga DRAKU Lezhë, u konstatuan shkelje të rënda në tregtimin e mishit.
Sipas njoftimit zyrtar, një individ po tregtonte mish derri pa certifikatë veterinare, pa vulë identifikimi dhe pa faturë tatimore, si dhe në kushte të papërshtatshme për ruajtje dhe shitje. Si pasojë, autoritetet bllokuan dhe asgjësuan një sasi prej 75.8 kilogramësh mish derri.
Ndaj subjektit përgjegjës u vendos masë administrative gjobë, ndërsa AKU thekson se ndërhyrja u bë menjëherë për të parandaluar çdo rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën thirrje qytetarëve që të blejnë produkte ushqimore vetëm nga subjekte të licencuara dhe të denoncojnë çdo parregullsi që konstatojnë në tregtimin e ushqimeve.

