Një udhëtim turistik drejt Nju Jorkut përfundoi në tragjedi. Një autobus me mbi 50 pasagjerë që po kthehej nga Ujëvarat e Niagarës humbi kontrollin të premten në autostradën I-90 pranë Pembroke, rreth 40 kilometra në lindje të Bafalos, duke u rrokullisur dhe duke shkaktuar disa viktima dhe shumë të plagosur.
Sipas policisë, skena ishte dramatike: dritaret e autobusit u thyen në çast dhe dhjetëra pasagjerë u hodhën jashtë në asfalt. “Kemi disa viktima, disa persona të mbetur të bllokuar dhe shumë të plagosur,” tha zëdhënësi i policisë së shtetit, James O’Callahan.
Shumica e udhëtarëve ishin nga India, Kina dhe Filipinet, ndërsa shoferi ka shpëtuar. Për shkak të barrierës gjuhësore, autoritetet dërguan edhe përkthyes në vendin e ngjarjes për të ndihmuar komunikimin me të mbijetuarit.
Operacioni i shpëtimit u shndërrua në një garë me kohën. Helikopterët e shërbimit ajror “Mercy Flight” transportuan të plagosurit më rëndë drejt spitaleve, ndërsa spitali “Erie County Medical Center” konfirmoi se kishte marrë të paktën tetë pacientë brenda pak orësh. “Është një skenë tepër aktive. Po lutemi për viktimat,” tha presidentja e “Mercy Flight”, Margaret Ferrentino.
Autostrada u mbyll në të dy drejtimet, ndërsa policia u bëri thirrje shoferëve të shmangnin zonën. Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, reagoi menjëherë, duke e quajtur ngjarjen “një aksident tragjik” dhe duke siguruar se po punohet ngushtësisht me policinë dhe autoritetet lokale.
Dëshmitarët përshkruan një panoramë makabre. “Kishte qelq të shpërndarë kudo në rrugë, sende të pasagjerëve gjithandej. Dritaret ishin të gjitha të thyera,” rrëfeu Powell Stephens, i cili kaloi pranë vendit pak minuta pas aksidentit.


