Një aksident automobilistik është regjistruar mëngjesin e sotëm,përgjatë autostradës Fier–Vlorë, në afërsi të fshatit Panaja. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, duke shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht pa lëndime në njerëz.
Për shkak të përplasjes, qarkullimi në këtë aks të rëndësishëm u vështirësua ndjeshëm, ndërsa u krijuan radhë të gjata automjetesh. Situata u rëndua edhe më shumë nga fluksi i lartë i mjeteve që këtë të diel udhëtonin drejt jugut të vendit për në plazhe.
Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë rrugore të Vlorës, të cilat bënë të mundur devijimin e përkohshëm të lëvizjes dhe po punojnë për tërheqjen e automjeteve të përfshira në aksident me qëllim normalizimin e qarkullimit.
Grupi hetimor ka nisur punën për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes, ndërsa paraprakisht dyshohet se shpejtësia dhe mungesa e kujdesit nga njëri prej drejtuesve të mjeteve mund të kenë ndikuar në përplasjen.
Radar.al


