Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e së martës në fshatin Qyrkan, në Njësinë Administrative Gostimë të Bashkisë Cërrik.
Sipas informacioneve paraprake, dy automjete janë përplasur ballë për ballë në rrethana ende të paqarta. Përplasja ka qenë shumë e fortë, duke shkaktuar dëme të mëdha në të dyja mjetet, ndërsa njëri prej tyre ka dalë jashtë rruge.
Si pasojë e aksidentit, dy persona dyshohet se kanë humbur jetën në vendngjarje.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e emergjencës, efektivët e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se përplasja mund të ketë ardhur si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e njërit prej automjeteve ose një manovre të gabuar, por dinamika e saktë do të përcaktohet nga hetimet e Policisë.
Autoritetet u bëjnë vazhdimisht apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin shpejtësinë tej normave të lejuara dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të automjeteve.


