Një ngjarje e rëndë është regjistruar në veri të Meksikë, ku katër zyrtarë kanë humbur jetën pas një aksidenti automobilistik në shtetin Chihuahua.
Mes viktimave ndodheshin dy zyrtarë të ambasadës amerikane, të cilët sipas mediave të huaja rezultonin të lidhur me aktivitete të CIA, si dhe dy zyrtarë meksikanë. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti me të cilin udhëtonin ka dalë nga rruga, ka përfunduar në një përrua dhe më pas është përfshirë nga flakët. Katër viktimat po ktheheshin nga një takim me përfaqësues të autoriteteve meksikane, në kuadër të një operacioni kundër një laboratori droge në një zonë të thellë.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka deklaruar se do të verifikohet nëse operacioni dhe përfshirja e mundshme e palës amerikane kanë respektuar ligjet e sigurisë kombëtare.
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i Chihuahua-s, Cesar Jauregui Moreno, theksoi se zyrtarët amerikanë nuk kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në aksionin për shkatërrimin e laboratorit të drogës.

