Në një intervistë të dhënë nga arratia, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka akuzuar ish-shefin e tij, kryeministrin Edi Rama, për iniciativën e akuzave kundër tij dhe kërcënimin e drejtpërdrejtë ndaj Daniel Shima.
Ahmetaj pretendon se familja e Ramës është përgjuar në mënyrë ambientale lidhur me tendera me vlerë 43 milionë euro. “AKSHI është nën hetim prej 8 muajsh. Një përgjim ambiental është në dorën e SPAK dhe mund të zhduket, por ekziston një kopje. Ky përgjim përfshin familjen e kryeministrit tek AKSHI me një shumë prej 43 milionë eurosh përmes ndërmjetësve të quajtur ‘prestanome’,” deklaroi Ahmetaj.
Në intervistën e tij për Syri TV, Ahmetaj shtoi se tenderat e dyshimtë janë realizuar përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe se njerëzit e afërt të Ramës janë përfshirë në këto skema. Agjencia e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, dhe ajo është thirrur për të dëshmuar në SPAK.
Ahmetaj zbuloi se kompania “ABS”, e cila në të vërtetë është “Advanced Business Solutions”, ka marrë tendera të dyshimtë nga AKSHI. Sipas tij, ky është një rast i qartë i korrupsionit të përhapur.
Ai gjithashtu përmendi Daniel Shima, zëvendës drejtorin e AKSHI-t, i cili është kërcënuar nga kryeministri për të heshtur lidhur me çështjen. “Danieli, që është numri dy i AKSHI-t, është kërcënuar drejtpërdrejt nga kryeministri që të mos flasë,” tha Ahmetaj. Daniel Shima, një nga zyrtarët më të lartë të AKSHI-t, është akuzuar publikisht për disa tendera të dhënë nga agjencia dhe është marrë në mbrojtje nga Garda e Republikës vitin e kaluar, megjithëse nuk ka pasur ndonjë informacion zyrtar për kërcënimet ndaj tij.
Këto akuza të rënda ngrejnë pikëpyetje serioze mbi integritetin dhe transparencën e tenderave në Shqipëri dhe rolin e zyrtarëve të lartë në këto procese.

