Zjarret e vazhdueshme në landfillin e Elbasanit dhe mungesa e një sistemi funksional të trajtimit të mbetjeve kanë shtyrë Qendrën e Bashkëpunimit Ndërfetar të ngrejë alarmin për ndotjen e rëndë të ajrit dhe pasojat serioze për shëndetin e banorëve.
Në një deklaratë për shtyp, Qendra shprehet se situata në qytetin e Elbasanit është “alarmante” dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe mjedisin. Sipas saj, mosfunksionimi i inceneratorit dhe përhapja e zjarreve në venddepozitimin e mbetjeve ka krijuar një klimë të rrezikshme që përsëritet çdo vit pa një zgjidhje të qëndrueshme.
“Ndotja e ajrit po rrezikon jetën e qytetarëve dhe të ardhmen e brezave të rinj. Kërkohet një ndërhyrje urgjente”, thuhet në deklaratë.
Qendra i bën thirrje Qeverisë që të investojë në ndërtimin e një inceneratori të ri, sipas standardeve ndërkombëtare, duke garantuar mbrojtjen e shëndetit publik dhe të mjedisit.
Gjithashtu, ajo kërkon që drejtësia të hetojë me përparësi abuzimet me projektin ekzistues dhe fondet publike që, sipas saj, janë shpërdoruar.
Në fund, Qendra nënvizon se është detyrë morale e çdo shoqërie të sigurojë një mjedis të pastër dhe të jetueshëm, duke e quajtur këtë “një të drejtë të dhuruar nga Zoti për çdo qytetar”.


