Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për zëvendësim dhe revokim të masës së sigurisë.
Ka pasur mos pranim për të dyja çështjet.
Kërkesa e tyre u hodh poshtë nga trupa e gjykimit e përbërë nga Sandër Simoni, Ilir Panda dhe Sokol Binaj. Më herët, Berisha dhe Malltezi kishin kërkuar gjithashtu përjashtimin e kësaj trupe gjykuese, kërkesë e cila u rrëzua më datë 10 të këtij muaji.
Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Ish kryeministri Berisha, nën hetim nga SPAK akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.
Ndërkohë, Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, pasi ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, Berisha.