Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje partive politike që të gjejnë gjuhën e përbashkët për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ajo deklaroi se kjo javë është vendimtare dhe se, nëse ka vullnet politik, marrëveshja mund të arrihet brenda pak orësh. Sipas saj, takimet mes partive janë të domosdoshme dhe duhet të zhvillohen sa më shpejt, ndërsa ftesat për dialog po bëhen nga kryeministri Albin Kurti.
Haxhiu u bëri apel forcave politike që t’u përgjigjen pozitivisht këtyre ftesave, duke theksuar se zgjedhja e presidentit është në interes të vendit dhe stabilitetit institucional.
Ajo shtoi se qytetarët nuk dëshirojnë zgjedhje të reja në këtë moment, duke kujtuar se vendi ka kaluar së fundmi një proces zgjedhor dhe përballet me sfida të shumta si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Ndërkohë, situata politike mbetet e bllokuar për shkak të mungesës së votave të nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e presidentit, çka rrit presionin për arritjen e një marrëveshjeje mes mazhorancës dhe opozitës brenda afatit kushtetues.

