Site icon Informohu siç duhet

Administrata Trump largon mbi 1300 punonjës nga Departamenti i Shtetit

Administrata e Presidentit Donald Trump ka nisur një spastrim të gjerë në Departamentin Amerikan të Shtetit, duke larguar 1,353 punonjës si pjesë e një riorganizimi të thellë të strukturës diplomatike të SHBA-së. Masa përfshin 1,107 nëpunës civilë dhe 246 diplomatë të Shërbimit të Jashtëm, të gjithë me detyra brenda territorit amerikan.

Sipas një njoftimi të brendshëm të DASH-it, diplomatët do të vendosen menjëherë në leje administrative të paguar për 120 ditë, ndërsa nëpunësit civilë do të kenë 60 ditë leje të paguar përpara largimit përfundimtar.

“Përmes kësaj riorganizimi, Departamenti po përqendrohet tek prioritetet diplomatike dhe po eliminon funksione të dyfishta apo jo-thelbësore,” thuhet në njoftim.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e përshëndeti vendimin si të domosdoshëm për të bërë departamentin më efikas. “Nëse një zyrë mbyllet, nuk ke më nevojë për ato pozicione,” deklaroi Rubio në një konferencë për shtyp nga Kuala Lumpur.

Por reagimet kundërshtuese nuk kanë munguar. Ish-diplomatë dhe ekspertë të politikës së jashtme e kanë quajtur veprimin një kërcënim serioz për kapacitetin diplomatik të SHBA-së. Akademia Amerikane e Diplomacisë e cilësoi ndërhyrjen si “një akt vandalizmi ndaj kapacitetit operacional të diplomacisë amerikane”.

Këto largime vijnë pak ditë pas shuarjes së Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila tashmë është integruar në strukturën e Departamentit të Shtetit. Riorganizimi përfshin gjithashtu shkurtim të ndihmës së huaj, mbylljen e zyrave që merreshin me të drejtat e njeriut, demokracinë, refugjatët dhe emigracionin – fusha që administrata Trump i konsideron si “ideologjikisht të njëanshme”.

Vendimi për pushimet masive u mundësua pas një vendimi të fundit të Gjykatës së Lartë, megjithëse betejat ligjore mbi ligjshmërinë e masës janë ende në zhvillim.

Ndërkohë, Unioni i Shërbimit të Jashtëm Amerikan ka kërkuar shtyrjen e vendimit, duke paralajmëruar se “shkëputja e kësaj natyre dëmton interesat kombëtare të SHBA-së”.

Exit mobile version