TIRANË– Sot po mbahet seanca gjyqësore për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe personat e tjerë për të cilët SPAK dha masë sigurie. Prej të paktën 1 ore ish-ministri i Shëndetësisë ka kundërshtuar akuzat e SPAK.
Seancë kjo e cila ishte parashikuar të mbahej dje, po bëhet rivlerësimi i masave të sigurisë, 3 me arrest me burg dhe dy arrest shtëpie. Sipas gazetares Klodiana Lala raportohet se ish-ministri Beqaj ka kundërshtuar fortë akuzat e SPAK në seancën e sotme.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u arrestua dy ditë më parë me akuzën e korrupsionit për fondet e donatorëve. Ilir Beqaj ka abuzuar me fondet e BE-së gjatë kohës që drejtonte agjencinë SASPAC. Në bashkëpunim me njerëzit e tij të besuar, një prej tyre është Ermal Kurtulaj, drejtues i projektit Eusair, pranë agjencisë, dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash, përmes faturave fiktive për shërbime të pakryera të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.
Gjithashtu, sipas njoftimit të bërë publik nga Prokuroria e Posaçme, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka bërë deklarim të rremë pasurie.
“Personi nën hetim I. B. dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “G…..” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim I. B., i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un. Personi nën hetim I.B. dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim E. K., i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore. Personi nën hetim I.B. ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim E. K.”- thuhet në reagimin e SPAK.