Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Nëndeklarimi i pagave/ Tatimorët kontrolle në 9 agjenci imobiliare, evidentohen shkelje të rënda

    Renditja FIFA e janarit/ Shqipëria mbetet e 63-ta, Kosova ngjitet në vendin e 79-të

    I kërkuar për vra*je në Britani, 26-vjeçari vetëdorëzohet në Policinë e Tiranës

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home
    Lajmet e fundit

    A po e dëmton inteligjenca artificiale aftësinë e të menduarit?

    December 20, 2025
    A po e dëmton inteligjenca artificiale aftësinë e të menduarit?

    Çfarë ishte gjëja e fundit që i kërkuat një chatbot-i me inteligjencë artificiale të bënte për ju?

    Ndoshta i kërkuat një strukturë eseje për të dhënë një përgjigje për një pyetje të vështirë, një analizë të zgjeruar të një sasie të madhe të dhënash, apo thjesht të kontrollonte nëse letra juaj e motivimit përputhej me përshkrimin e vendit të punës.

    Por disa ekspertë po ngrenë alarmin se delegimi i këtyre detyrave tek inteligjenca artificiale mund të nënkuptojë që truri ynë po punon më pak. Kjo sipas tyre, mund të dëmtojë aftësitë tona për të menduar në mënyrë kritike dhe për të zgjidhur probleme.

    Në fillim të këtij viti, Instituti i Teknologjisë në Massachusetts (MIT) publikoi një studim që tregonte se personat që përdornin ChatGPT për të shkruar ese shfaqnin më pak aktivitet në rrjetet e trurit që lidhen me përpunimin kognitiv, gjatë kohës që kryenin detyrën.

    Studiuesit deklaruan se studimi i tyre nxjerr në pah “nevojën urgjente për të eksploruar një rënie të mundshme të aftësive të të nxënit”.

    Në kërkim morën pjesë 54 persona, të gjithë të rekrutuar nga MIT dhe universitete përreth. Aktiviteti i trurit të tyre u regjistrua përmes elektroencefalografisë (EEG), një metodë që përfshin vendosjen e elektrodave në skalp.

    Disa nga “prompte”-t e përdorura nga pjesëmarrësit përfshinin kërkesa për përmbledhjen e pyetjeve të esesë, gjetjen e burimeve, si dhe përmirësimin e gramatikës dhe stilit.
    AI u përdor gjithashtu për të gjeneruar dhe formuluar ide, megjithëse disa përdorues ndjenë se inteligjenca artificiale nuk ishte veçanërisht e mirë në këtë drejtim.

    “AI e bën shumë të lehtë gjetjen e përgjigjeve”

    Në një studim tjetër, Universiteti Carnegie Mellon dhe Microsoft, kompania që operon Copilot, zbuluan se aftësitë e zgjidhjes së problemeve te njerëzit mund të dobësohen nëse ata bëhen tepër të varur nga inteligjenca artificiale.

    Ata anketuan 319 punonjës të sektorit administrativ (white-collar), të cilët përdornin mjete AI për punën e tyre të paktën një herë në javë, duke i pyetur se si e aplikonin të menduarit kritik gjatë përdorimit të tyre.

    Studiuesit analizuan rreth 900 shembuj detyrash të dhëna inteligjencës artificiale, që varionin nga analiza e të dhënave për të nxjerrë njohuri të reja, deri te verifikimi nëse një punim i plotësonte rregulla të caktuara.

    Studimi zbuloi se sa më e lartë të ishte besimi i përdoruesve në aftësinë e mjetit për të kryer një detyrë, aq më i ulët ishte “angazhimi në të menduar kritik”.

    “Ndërsa GenAI mund të rrisë efikasitetin e punonjësve, ajo mund të pengojë angazhimin kritik me punën dhe potencialisht të çojë në varësi afatgjatë nga mjeti, si dhe në dobësim të aftësive për zgjidhje të pavarur të problemeve”, thuhet në përfundimet e studimit.

    Edhe nxënësit e shkollave në Mbretërinë e Bashkuar u anketuan në një studim të publikuar në tetor nga Oxford University Press (OUP). Rezultatet treguan se gjashtë në dhjetë prej tyre mendonin se AI kishte ndikuar negativisht në aftësitë e tyre në lidhje me detyrat shkollore.

    Atëherë, me shpërthimin masiv të përdorimit të inteligjencës artificiale, a janë vërtet në rrezik aftësitë tona njohëse?

    Sipas Dr. Alexandra Tomescu, specialiste e inteligjencës artificiale gjenerative në OUP dhe bashkëautore e studimit me nxënësit, përgjigjja nuk është aq e thjeshtë.

    “Hulumtimi ynë tregon se nëntë në dhjetë nxënës thonë se AI i ka ndihmuar të zhvillojnë të paktën një aftësi të lidhur me shkollën, qoftë zgjidhjen e problemeve, kreativitetin apo përsëritjen”, shpjegon ajo.

    “Por në të njëjtën kohë, rreth një e katërta thonë se përdorimi i AI e ka bërë shumë të lehtë kryerjen e punës për ta… Pra, kemi të bëjmë me një panoramë me nuanca.”

    Ajo shton se shumë nxënës dëshirojnë më shumë udhëzime se si ta përdorin saktë inteligjencën artificiale.

    ChatGPT, i cili sipas drejtorit ekzekutiv Sam Altman ka më shumë se 800 milionë përdorues aktivë çdo javë, ka publikuar një listë me 100 “prompte” për studentët, të dizajnuara për t’i ndihmuar ata të përfitojnë sa më shumë nga teknologjia.

    Por profesori Wayne Holmes, studiues i inteligjencës artificiale dhe edukimit në University College London (UCL), thotë se kjo nuk mjafton.

    Ai kërkon shumë më tepër kërkime akademike mbi efektet e mjeteve AI në procesin e të nxënit, përpara se nxënësit dhe studentët të inkurajohen gjerësisht t’i përdorin ato.

    “Sot nuk ka prova të pavarura, në shkallë të gjerë, për efektivitetin e këtyre mjeteve në arsim, as për sigurinë e tyre, apo madje për idenë se ato kanë ndikim pozitiv”, thotë ai për BBC-në.

    Rezultate më të mira, por nxënie më e dobët?

    Prof. Holmes i referohet edhe kërkimeve mbi atë që quhet atrofi kognitive, ku aftësitë e një personi dobësohen pas përdorimit të AI.

    Ai përmend rastin e radiologëve që përdorin mjete AI për të interpretuar rrezet X përpara se të vendosin diagnozën.

    Një studim i Shkollës së Mjekësisë në Harvard, i publikuar vitin e kaluar, zbuloi se ndihma e AI përmirësonte performancën e disa klinicistëve, por e dëmtonte atë të të tjerëve, për arsye që studiuesit ende nuk i kuptojnë plotësisht.

    Autorët bënë thirrje për më shumë kërkime mbi mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me inteligjencën artificiale, në mënyrë që të gjenden forma përdorimi që “rrisin performancën njerëzore, në vend që ta dëmtojnë atë”.

    Prof. Holmes shpreh shqetësimin se studentët, si në shkollë ashtu edhe në universitet, mund të bëhen tepër të varur nga AI për të kryer punën e tyre dhe, si pasojë, të mos zhvillojnë aftësitë themelore që ofron arsimi.

    Një ese mund të marrë nota më të mira falë ndihmës së inteligjencës artificiale, por pyetja kryesore mbetet kjo: A përfundojnë studentët duke kuptuar më pak?

    Siç e përmbledh ai, “Produktet e tyre janë më të mira, por në fakt të nxënit është më i dobët”.

    Nga ana tjetër, Jayna Devani, drejtuese e arsimit ndërkombëtar në OpenAI, kompania që zotëron ChatGPT dhe e përfshirë në marrëveshjen me Universitetin e Oksfordit, thotë se kompania është “shumë e vetëdijshme për këtë debat”.

    “Ne definitivisht nuk mendojmë se studentët duhet ta përdorin ChatGPT për të bërë punën”, thotë ajo për BBC-në.

    Sipas saj, mjeti funksionon më mirë si tutor sesa si një burim i thjeshtë përgjigjesh. Ajo jep shembull përdorimin e ChatGPT në “study mode”, ku studenti mund të zhvillojë një dialog me chatbot-in.

    Studenti fut pyetjen që e ka të vështirë dhe chatbot-i e ndan atë në pjesë, duke ndihmuar në kuptimin e saj.

    Shembulli që ajo sjell është ai i një studenti që punon vonë natën për një temë që nuk e kupton plotësisht.

    “Nëse keni një prezantim për të bërë dhe është mesnatë, nuk do t’i dërgoni email tutorit tuaj universitar për ndihmë. Mendoj se potenciali është realisht aty që ChatGPT të përshpejtojë të nxënit, nëse përdoret në mënyrë të duhur”, thotë ajo.

    Megjithatë, Prof. Holmes këmbëngul se çdo student që përdor mjete AI duhet të jetë i vetëdijshëm se si funksionon arsyetimi i tyre dhe si i trajtojnë të dhënat kompanitë që i ofrojnë ato. Ai thekson se rezultatet duhet gjithmonë të verifikohen.

    “Nuk u them kurrë studentëve të mi se nuk duhet ta përdorin AI-në… Por ajo që përpiqem të them është se duhet ta kuptojmë mirë, që të mund të marrim vendime të mira.”(BBC)

    A po e dëmton inteligjenca artificiale aftësinë e të menduarit? Chatbot teknologji
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Nëndeklarimi i pagave/ Tatimorët kontrolle në 9 agjenci imobiliare, evidentohen shkelje të rënda

    January 20, 2026

    Renditja FIFA e janarit/ Shqipëria mbetet e 63-ta, Kosova ngjitet në vendin e 79-të

    January 20, 2026

    I kërkuar për vra*je në Britani, 26-vjeçari vetëdorëzohet në Policinë e Tiranës

    January 20, 2026

    Dënim i rëndë për kri*et e ’97-ës/ 23 vite burg për ish-policin Tomor Çela

    January 20, 2026
    Mos e humb
    Fokus January 12, 2026

    Ish-shoqëruesi besnik i Fatos Nanos: Arben Ahmetaj, dy fjalë kam për ty

    NGA TORI AGOLLI  Arben Ahmetaj: dy fjale kam per ty,te njoha në vitet e shkuara,kur…

    As burgu nuk i mjaftoi/ Alda Klosi, ish-benjaminja e Arben Ahmetajt, rikthehet te presionet ndaj bizneseve

    SPAK, transparenca e munguar dhe kufiri i rrezikshëm i gjyqit popullor

    CFO Pharma, Pharma Plus dhe Medix Albania/ KLSH zbulon skemat korruptive të FSDKSH-së dhe abuzimet me ilaçet që rrezikojnë shëndetin e shqiptarëve

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: [email protected]
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Parashikimi i horoskopit 20 janar, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Zbuloni çfarë kanë parashikuar yjet për ju, horoskopi 19 Janar 2026

    Parashikimi i Horoskopit 16 janar, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.