TIRANË– Këngëtari i mirënjohur Yll Limani ka qenë i ftuar në emisionin Ndryshe”, me moderimin e Elona Duro dhe Salsano Rrapi.
Gjatë intervistës për Top Albania Radio, artisti ka ndarë detaje jo vetëm për projektet e tij muzikore dhe albumin më të ri, por edhe për jetën personale, marrëdhëniet dhe mënyrën se si i sheh bashkëpunimet në industrinë muzikore.
Gjithashtu Ylli foli edhe për reflektimin e tij mbi rrugëtimin artistik dhe pjekurinë që ka ardhur me moshën.
“Bota është shkallë-shkallë,” u shpreh Ylli, duke treguar se dikur e kishte përjetuar negativisht refuzimin nga artistë të tjerë. “Në fillim kam pasur inat me shumë këngëtarë që thoshin ‘jo’ për bashkëpunime. Por sot, me kalimin e kohës, e kupton që edhe ti vjen në situata ku duhet të thuash ‘jo’,” tha ai.
Sipas Limanit, arsyet për një refuzim nuk lidhen kurrë me arrogancën apo mungesën e respektit. Ai theksoi se ka pasur raste kur kënga nuk ka qenë e duhura, momenti jo i përshtatshëm, apo thjesht nuk e ka ndjerë si bashkëpunim të realizueshëm. “Nuk jam i pasjellshëm dhe as arrogant. Nuk më ka hipur vetja në qejf,” sqaroi këngëtari. Artisti shtoi se, në shumicën e rasteve, është vetë ai që i fton këngëtarët për bashkëpunime, por vetëm atëherë kur ndjen se projekti ka vlerë artistike dhe se zëri i tjetrit përshtatet natyrshëm me këngën. “Kur është momenti i duhur dhe kur ka një këngë ku e ndjej zërin e dikujt tjetër, e bëj bashkëpunimin. Kur nuk më pëlqen, nuk e bëj,” përfundoi Yll Limani./Radar.al

