Banorët e Krujës dolën sërish pasditen e sotme në protestë duke bllokuar aksin e ri rrugor Thumanë-Kashar.
Kujtojmë se kjo është protesta e 12 e banorëve të cilët kërkojnë hapjen e aksit rrugor Thumanë-Kashar.
Edhe këtë herë qytetarë të shumtë janë vendosur pranë aksit, ndërsa forcat e policisë nuk kanë arritur t’i ndalojnë nga bllokimi i qarkullimit të mjeteve.
Sipas banorëve, devijimi i rrugës së re ka bërë që bizneset e tyre të shkojnë drejt falimentit dhe kjo sipas tyre është një padrejtësi që po bëhet hapur në kurriz të tyre.
Banorët janë shprehur se atyre iu premtua se do të marrin përgjigje deri ditën e hënë. Në të kundërt siç shprehen edhe ata, do bëjnë protestë 24 orëshe.
“Do presim deri ditën e hënë, nëse nuk marrim përgjigje ne do bëjmë protestë 24 orëshe. Nuk do kursejmë asnjë. Nëse nuk na jepet ai vendim, ne po qemë burra e djegim këtë vend. Na thanë se do na kthejnë përgjigje deri të hënë.“


