Një automjet është djegur pranë murit të nënstacionit elektrik në lagjen “Çlirimi” të qytetit të Lushnjes.
Zjarrfikësit, të ardhur me urgjencë në vendngjarje, kanë shuar zjarrin që kishte rënë brenda kabinës së mjetit që u shkrumbua tërësisht. Ndërhyrja e zjarrfikësve në kohën e duhur nuk ka lejuar përhapjen e zjarrit si në nënstacionin elektrik e po ashtu as në banesat që janë ngjitur në këtë lagje.
Ekspertët e policisë shkencore në bashkëpunim me zjarrfikësit po punojnë për të zbardhur shkaqet që çuan në djegien e automjetit në këtë zonë me rrezikshmëri të lartë për shkak të banesave dhe nënstacionit elektrik.


