Kreu i SPAK, Klodjan Braho, deklaroi se Prokuroria e Posaçme ndodhet në fazën përfundimtare të përgatitjeve për hapjen e thirrjes për 40 hetues të rinj në BKH.
Gjatë diskutimit në Komisionin për Nismat Qytetare, për shqyrtimin e projekt-rezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për vitin 2025”, Braho theksoi se zgjerimi i kapaciteteve njerëzore është i domosdoshëm për t’iu përgjigjur natyrës së re të hetimeve.
Sipas tij, hetimet bashkëkohore nuk mbështeten vetëm në veprimet klasike procedurale, por kërkojnë ekspertizë të shtuar në fusha si provat digjitale, analizat financiare dhe inteligjenca kriminale.
“Jemi në fazën e fundit përgatitore për hapjen e thirrjes për 40 hetues të rinj. Ky organizim është i nevojshëm për t’iu përgjigjur natyrës së re të hetimeve, ku provat digjitale, analiza financiare dhe inteligjenca kriminale janë po aq të rëndësishme sa veprimet klasike procedurale”, u shpreh Braho.


