Policia Kufitare e Vlorës ka bllokuar dy gomone, drejtuesit e të cilave rrezikuan sigurinë e pushuesve duke lundruar pranë vijës bregdetare.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, pas një denoncimi për një gomone që po lundronte pranë bregut në plazhin e Potamit, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin (DVKM) Vlorë e lokalizuan mjetin në plazhin e Drimadhes, ku e ndaluan dhe e bllokuan. Drejtuesi i saj, shtetasi H. L., u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh.
Ndërkohë, gjatë patrullimeve në zonën e njohur si “Plazhi i Hidrovorit”, efektivët konstatuan një tjetër gomone që lëvizte në afërsi të bregut. Edhe ky mjet u ndalua dhe u bllokua, ndërsa drejtuesi, shtetasi E. Sh., u gjobit me 510 mijë lekë. Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se ai nuk kishte në bord dokumentacionin e kërkuar nga ligji.
Policia Kufitare bën me dije se kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare të qarkut Vlorë, me qëllim garantimin e sigurisë detare dhe parandalimin e shkeljeve që rrezikojnë jetën e pushuesve.
Gjithashtu, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve, pushuesve dhe vizitorëve të denoncojnë çdo rast paligjshmërie që cenon sigurinë detare, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe në përputhje me ligjin.


